Teksa ditën e sotme u raportua për një shpërthim të ndodhur para mesnate në rrugën “Sadik Petrela”, Policia e Tiranës bën me dije se vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Nga hetimet e bëra rezulton se për pasojë të lëndës plasëse të vendosur në ballkonin e një apartamenti në katin e 9 u dëmtua xhami dhe vetrata e ballkonit. Fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar.
Policia ka zbuluar se banesa rezulton në emër të Albert Thomës, ndërsa ky i fundit e ka lëshuar me qira për Elena Arzën.
Grupi hetimor bën me dije se Arza nuk është marrë në pyetje pasi në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në banesë. Po ashtu, vendndodhja e saj mbetet e panjohur për momentin.
Dyshohet se lënda plasëse është hedhur me dron, por kjo nuk është e vetmja pistë që po hetohet. Grupi hetimor nuk përjashton as mundësinë e një inskenimi.


