TIRANË– Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe kreu i PL-së, Ilir Meta ka sqaruar sot në Apelin e GJKKO-së raportin me biznesmenin shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku, emri i të cilit ka dalë në dosjen hetimore të SPAK.
Meta para togave të zeza dëshmoi se Adrian Shatkun, kushëri i Monika Kryemadhit, i kishte ftohur marrëdhëniet për shkak se vendosi në dyshim seriozitetin e tij. Ndër të tjera mësohet që Meta të ketë deklaruar se: Paralajmërova edhe të afërmit, por edhe bashkëpunëtorët e mi, që kishin kontakte të afërta me të.
“Lidhur me marrëdhëniet e LSI me dy kompani të tjera lobuese të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, çdo vendim dhe autorizim i lëshuar nga unë për këto marrëdhënie ka qënë në respekt ekstrem të ligjeve shqiptare dhe amerikane. Nëse ka veprime të paligjshme nga ky person apo kushdo tjetër, SPAK-u t’i vendosë përpara përgjegjësisë penale në Shqipëri apo SHBA në bashkëpunim me drejtësinë amerikane. Dua të sqaroj se asnjëherë nuk kam përfituar asnjë gjë nga ky person përveç njohjes që kemi patur për arsye të origjinës së tij dibrane dhe miqësive që kishte me të afërm të mi për këtë shkak. Siç e kam deklaruar në SPAK prej kohësh, kisha vënë në dyshim seriozitetin e tij dhe ftohur marrëdhëniet me të dhe për këtë kisha paralajmëruar edhe të afërmit, por edhe bashkëpunëtorët e mi, që kishin kontakte të afërta me të.”- ka thënë Meta, i cili ndodhet në qeli prej 21 Tetorit dita kur u arrestua në hyrje të Tiranës./Radar.al


