Efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë operacionit policor të zhvilluar në fshatin Bode, do të përcillet për në banesën e fundit në vendlindjen e tij, pas një vendimi të marrë nga familjarët.
Megjithëse statusi “Dëshmor i Atdheut” parashikon që të rënët në krye të detyrës të prehen në Varrezat e Dëshmorëve, familja Mekolli ka kërkuar që ceremonia e varrimit të zhvillohet në fshatin e lindjes së efektivit.
Sipas familjarëve, vendimi lidhet me një histori të dhimbshme që ka prekur më herët familjen. Ata kanë humbur edhe një djalë tjetër, gjithashtu efektiv policie, i cili ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Dëshira e familjes është që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit, në vendin ku u rritën dhe jetuan.
Homazhet në nderim të Enea Mekollit do të zhvillohen të premten në orën 12:00, ndërsa më pas trupi i tij do të përcillet për në banesën e fundit.
Pas takimit me strukturat e Policisë së Shtetit në Korçë, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari zhvilloi edhe një vizitë ngushëllimi në familjen e efektivit të ndjerë, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen institucionale për familjarët e policit që humbi jetën në krye të detyrës gjatë operacionit në Bashkinë e Maliq.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe komunitetin e policisë, ndërsa kolegët e Enea Mekollit e kanë kujtuar atë si një efektiv të përkushtuar dhe shembullor në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.


