Banorët e një pallati në Benetússer, pranë Valencias, i shpëtuan për mrekulli një tragjedie, pasi godina ku jetonin u shemb vetëm pak minuta pasi ata u larguan nga banesat.
Gjithçka nisi kur banorët vunë re çarje të mëdha në mure dhe dëgjuan zhurma të pazakonta që i shtynë të njoftonin menjëherë shërbimet e emergjencës. Pas mbërritjes së zjarrfikësve dhe krijimit të perimetrit të sigurisë, ndërtesa trekatëshe u shemb plotësisht.
Fatmirësisht, askush nuk mbeti nën rrënoja dhe nuk u raportuan të lënduar. Për arsye sigurie, autoritetet evakuuan edhe një ndërtesë tjetër aty pranë, ndërsa specialistët po kryejnë kontrolle për të vlerësuar rrezikun në zonë.
Shkaqet e shembjes mbeten ende mister. Hetimet janë në vijim, ndërsa mediat spanjolle raportojnë se ngjitur me pallatin po zhvilloheshin punime ndërtimi për një godinë të re, pa u konfirmuar ende nëse ato kanë ndikuar në shembjen e ndërtesës.


