Gjermania ka përshëndetur arritjen e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, pas mbylljes së përkohshme të tre kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian. Përmes një reagimi zyrtar, Ambasada Gjermane në Tiranë e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik, duke vlerësuar reformat dhe angazhimin e autoriteteve shqiptare në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Në deklaratën e saj, ambasada mirëpriti zhvillimin e Konferencës së nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30, të cilët janë kapitujt e parë që përmbyllen në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
Sipas Ambasadës Gjermane, ky hap dëshmon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në politikat kyçe të Bashkimit Europian, për të forcuar bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, për të zgjeruar marrëdhëniet në arsim dhe kulturë, si edhe për të kontribuar në rritjen e sigurisë ekonomike të BE-së.
“Ne vlerësojmë përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të arritur këtë moment historik dhe i inkurajojmë ato të ruajnë këtë ritëm pozitiv gjatë negociatave për kapitujt e mbetur. Kemi besim se Shqipëria do të ndërtojë mbi këtë progres, do të vijojë reformat me të njëjtën vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete e të qëndrueshme, veçanërisht në fushën e Themeloreve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.


