Venat e zgjeruara nuk zhduken vetë në shumicën e rasteve. Rëndesa në këmbë, ënjtja rreth kyçeve dhe venat që bëhen më të dukshme gjatë mbrëmjes mund të jenë shenja të një problemi të qarkullimit venoz, i cili kërkon vlerësim në kohë.
Sipas të dhënave të Cleveland Clinic, te pamjaftueshmëria kronike venoze trajtimi nuk mund të rikthejë gjendjen fillestare të valvulave të dëmtuara të venave, por mund të lehtësojë simptomat dhe, në raste të caktuara, të mbyllë ose të largojë venat problematike, duke e drejtuar qarkullimin e gjakut në vena më të shëndetshme.
Venat kanë një rol të rëndësishëm në kthimin e gjakut nga këmbët drejt zemrës. Ato funksionojnë me ndihmën e valvulave të vogla që pengojnë kthimin e gjakut mbrapsht. Kur këto valvula dobësohen, gjaku grumbullohet në vena, presioni rritet dhe enët zgjerohen, duke u bërë të dukshme nën lëkurë.
Edhe pse shpesh konsiderohen vetëm si problem estetik, venat varikoze mund të jenë shenjë e një çrregullimi të qarkullimit të gjakut.
Shenjat që duhen kontrolluar
Një nga treguesit më të zakonshëm është ndryshimi i pamjes së venave gjatë ditës. Nëse ato duken më të theksuara në mbrëmje, shfaqen vijëzime me ngjyrë blu ose vjollcë nën lëkurë, veçanërisht në pjesën e poshtme të këmbëve ose pas gjurit, rekomandohet një kontroll mjekësor.
Simptoma të tjera mund të jenë:
- ndjesi rëndese dhe lodhjeje në këmbë;
- tendosje ose djegie;
- ngërçe gjatë natës;
- ënjtje rreth kyçeve;
- përkeqësim i shqetësimeve pas qëndrimit të gjatë ulur ose në këmbë.
Kremrat dhe xhelat mund të japin lehtësim të përkohshëm, por nuk mund të riparojnë valvulat e dëmtuara dhe nuk e rikthejnë venën në gjendjen e mëparshme.
Si mund të ngadalësohet përparimi i problemit
Megjithëse një venë e dëmtuar nuk mund të riparohet nga brenda, simptomat mund të kontrollohen dhe përparimi i sëmundjes mund të ngadalësohet. Ndihmojnë aktiviteti fizik i rregullt, shmangia e qëndrimit të zgjatur ulur ose në këmbë, mbajtja e një peshe të shëndetshme dhe përdorimi i çorapeve mjekësore kompresive, sipas këshillës së mjekut.
Në rastet më të avancuara, ekzistojnë trajtime moderne minimalisht invazive, si mbyllja e venës me lazer ose metoda të tjera që e nxjerrin venën e dëmtuar jashtë qarkullimit. Pas kësaj, gjaku kalon përmes venave të shëndetshme.
Këto ndërhyrje zakonisht shoqërohen me rikuperim të shpejtë dhe shumë pacientë mund t’i rikthehen aktiviteteve të zakonshme brenda një kohe të shkurtër.
Pse mund të shfaqen përsëri venat e zgjeruara pas trajtimit
Në shumicën e rasteve, nuk rikthehet e njëjta venë e trajtuar, pasi ajo është mbyllur ose larguar nga qarkullimi. Megjithatë, te personat me predispozitë, probleme të ngjashme mund të shfaqen në vena të tjera.
Për këtë arsye, kontrollet periodike dhe kujdesi ndaj qarkullimit të gjakut mbeten të rëndësishme. Venat e zgjeruara nuk duhen lënë pas dore deri në shfaqjen e komplikimeve, si plagët venoze apo mpiksjet e gjakut. Sa më herët të identifikohet problemi, aq më i lehtë është menaxhimi i tij.


