Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Ankaraja do të vijojë të luajë një rol aktiv në përpjekjet për paqen globale, duke vënë theksin te bashkëpunimi me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.
Pas takimit dypalësh me Trumpin, Erdogan u shpreh se të dy liderët ndajnë të njëjtin angazhim për të ndërmarrë hapa konkretë në funksion të paqes.
“Unë dhe kolegët e mi po punojmë së bashku për të çuar përpara përpjekjet për paqen botërore, duke bërë gjithçka që është në mundësitë tona. Me mikun tim të dashur, Donald Trump, theksuam rëndësinë e këtij samiti të liderëve për arritjen e paqes në Gaza”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan bëri të ditur se në bisedimet me presidentin amerikan një vend të rëndësishëm do të zënë edhe zhvillimet e fundit në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Do të diskutoj edhe zhvillimet mes Rusisë dhe Ukrainës me mikun tim të nderuar dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, u shpreh ai.
Deklaratat e Erdoganit vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për një armëpushim në Gaza dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Ukrainë mbeten ndër prioritetet kryesore të agjendës ndërkombëtare.


