Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku në qendër të diskutimeve ka qenë lufta në Ukrainë dhe mundësia e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.
Lajmi u bë i ditur nga këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, i cili tha se dy liderët folën për zhvillimet në Ukrainë në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet më 7–8 korrik në Turqi. Sipas Kremlinit, Putin ka rikonfirmuar gatishmërinë e Rusisë për një zgjidhje diplomatike, duke theksuar se ajo duhet të marrë në konsideratë qëndrimet e Moskës.
Ushakov e cilësoi telefonatën si “profesionale dhe shumë konstruktive”, duke bërë të ditur se biseda zgjati 1 orë e 25 minuta. Gjatë saj, Putin i ka përsëritur Trump edhe ftesën për të vizituar Rusinë.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se edhe Ukraina mbetet e hapur për bisedime, por sipas tij, është Rusia ajo që duhet të hedhë hapin e parë drejt paqes. Në një reagim në rrjetet sociale, Zelensky tha se pati një bisedë “shumë të mirë” me Trump, me të cilin diskutoi situatën në front dhe zhvillimet diplomatike.
“Ekziston një perspektivë reale për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe vendosmëria e Shteteve të Bashkuara do të jetë vendimtare”, shkroi Zelensky, duke shtuar se palët kanë rënë dakord të vijojnë diskutimet edhe gjatë samitit të NATO-s në Ankara.


