Brazili ka marrë një lajm të keq në mes të rrugëtimit në Kupën e Botës 2026, pasi mesfushori Lucas Paquetá rrezikon të humbasë pjesën e mbetur të turneut për shkak të një dëmtimi muskulor.
Lojtari i Flamengos u lëndua gjatë fitores 2-1 ndaj Japonisë dhe u detyrua të largohej nga fusha në fund të pjesës së parë të sfidës së zhvilluar në Houston.
Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) konfirmoi se ekzaminimet mjekësore zbuluan një dëmtim në pjesën e pasme të kofshës së majtë. Në njoftimin zyrtar thuhet se 28-vjeçari ka nisur menjëherë një program intensiv rehabilitimi nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të kombëtares, me synimin për t’u rikthyer sa më shpejt në dispozicion të trajnerit Carlo Ancelotti.
Edhe pse CBF nuk ka bërë publik një afat të saktë rikuperimi, raportimet e ESPN bëjnë të ditur se Paquetá ka pësuar një tërheqje muskulore të shkallës së dytë. Një dëmtim i tillë kërkon zakonisht rreth tre javë rehabilitim, duke e bërë shumë të vështirë rikthimin e tij gjatë këtij Botërori, përveçse nëse Brazili arrin deri në finalen e turneut dhe lojtari rikuperohet më shpejt nga sa pritet.
Mungesa e Paquetás përbën një goditje të rëndë për kombëtaren braziliane, pasi ai ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm në skemat e Carlo Ancelottit gjatë turneut.
Problemet për “Seleçaon” nuk mbarojnë këtu, pasi në listën e të dëmtuarve vazhdon të jetë edhe Raphinha, i cili gjithashtu po rikuperohet nga një dëmtim në pjesën e pasme të kofshës, të pësuar gjatë fazës së grupeve.


