Komanda Kibernetike e Ndërlidhjes, pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shënoi 95-vjetorin e krijimit të Shërbimit të Ndërlidhjes në një ceremoni ku morën pjesë drejtues të lartë të mbrojtjes, përfaqësues të ushtrisë, veteranë dhe efektivë të këtij shërbimi.
Në aktivitet ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Në fjalën e tij, ministri Nufi e cilësoi Shërbimin e Ndërlidhjes si një komponent kyç të Forcave të Armatosura, duke theksuar se çdo operacion ushtarak mbështetet në komunikimin e sigurt dhe efikas që garanton kjo strukturë.
Ai shprehu vlerësim për brezat e ushtarakëve që kanë shërbyer ndër vite në këtë shërbim, duke falënderuar veteranët dhe personelin aktual për përkushtimin në garantimin e sistemeve të komunikimit dhe mbrojtjes kibernetike.
Ministri nënvizoi gjithashtu se, si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka forcuar ndjeshëm kapacitetet në fushën e ndërlidhjes dhe sigurisë kibernetike, duke siguruar ndërveprueshmëri të plotë me sistemet e Aleancës.
Sipas tij, ky zhvillim është rezultat i profesionalizmit të personelit, investimeve të vazhdueshme në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të NATO-s.
Nufi theksoi se modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare, me fokus në avancimin e teknologjisë, forcimin e infrastrukturës kritike dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak.


