Pas pretendimeve se kishte “mallkuar” Harry Kane përpara përballjes me Ganën, “magjistari” ganez Nana Kwaku Bonsam ka bërë një tjetër deklaratë të fortë, këtë herë duke parashikuar fituesen e Kupës së Botës 2026.
“Ky Botëror është i Cristiano Ronaldos. Portugalia do të shpallet kampione e botës”, u shpreh Bonsam, duke e konsideruar kombëtaren portugeze si favoriten kryesore për të ngritur trofeun.
Sipas tij, edhe Anglia do të zhvillojë një turne të madh dhe do të jetë shumë pranë triumfit, megjithëse në fund trofeu do t’i takojë Portugalisë.
Bonsam foli edhe për të ashtuquajturin “mallkim” ndaj Harry Kane, duke sqaruar se ai tashmë e ka hequr atë. “Harry Kane nuk është armiku im. Madje, kam një fëmijë të cilit do t’i vendos emrin e tij”, deklaroi ai.
“Magjistari” ganez kërkoi falje edhe për një tjetër “gabim” të pretenduar, duke thënë se kishte mallkuar pa dashje Turqinë, e cila humbi dy ndeshjet e para në Kupën e Botës.
“Sinqerisht, ishte një gabim i madh. Kisha përgatitur një hajmali për të dobësuar kundërshtarin e Ganës, por nxënësi im e zhvendosi gabimisht hartën dhe energjia u drejtua te Turqia”, u shpreh ai me ironi.


