Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Dritan Goxhaj gjatë një proteste të zhvilluar në Tiranë, ku ai u prezantua si ish-luftëtar i UÇK-së.
Përmes një reagimi publik, Nufi ka kritikuar ashpër përdorimin e emrit dhe simbolikës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës në debatet politike, duke e cilësuar këtë si një cenim të sakrificës së luftëtarëve të saj.
“Sa e lehtë është të mbështesësh luftën nga divani dhe të refuzosh të shkosh me shokët në fushëbetejë, njësoj si sot të marrësh pëlqime nga sheshi i një proteste. Nuk ka turp më të madh sesa të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së”, shprehet ministri në reagimin e tij.
Ai thekson se askush nuk duhet të flasë në emër të luftës çlirimtare për qëllime politike, duke shtuar se veprime të tilla dëmtojnë interesat kombëtare shqiptare.
Në deklaratën e tij, Nufi ka përmendur edhe figurat historike të UÇK-së, duke u shprehur se komandantët dhe luftëtarët e vërtetë meritojnë respekt dhe jo përdorim në përplasje politike.
Ministri ka komentuar gjithashtu zhvillimet politike në vend, duke vlerësuar rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së Edi Rama.
Sipas tij, progresi i vendit drejt integrimit europian është rezultat i reformave të viteve të fundit dhe mbështetjes që qytetarët i kanë dhënë qeverisë përmes votës.


