Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim lidhur me përdorimin e simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë protestës që po zhvillohet në Tiranë.
Përmes një reagimi publik, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ka theksuar se është e papranueshme që emri dhe simbolika e UÇK-së të përdoren nga individë apo grupe për qëllime politike.
Sipas tij, çdo përpjekje për të instrumentalizuar kauzën e luftës çlirimtare për interesa të ditës cenon dinjitetin e sakrificës së luftëtarëve dhe vlerat e saj historike.
“Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së të flasin individë apo grupe që kanë tentuar ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim.
Gucati thekson se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk pranon që kauza e UÇK-së të shndërrohet në instrument politik apo të përdoret për interesa personale dhe partiake.
Ai i bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që të ruajnë integritetin e tubimit dhe të mos lejojnë, sipas tij, keqpërdorimin apo vetëdeklarimet e rreme në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së.
Në deklaratë theksohet se UÇK-ja mbetet pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit dhe duhet trajtuar me respekt, jashtë çdo përplasjeje politike të ditës.


