Kryeministri Edi Rama iu drejtua qytetarëve që po protestojnë kundër projekteve të investimit në Sazan dhe Zvërnec, duke i ftuar të verifikojnë dokumentacionin dhe faktet që, sipas tij, tregojnë se interesat publike dhe mjedisore janë mbrojtur nga institucionet shqiptare.
Gjatë fjalës së mbajtur në festimet për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, Rama tha se ditët e fundit nuk kanë qenë të lehta as për të, ndërsa shtoi se do të ndante të njëjtin indinjim me protestuesit nëse akuzat ndaj qeverisë do të rezultonin të vërteta.
“Po të ishin të vërteta ato që u është mbushur mendja, do të isha edhe unë po aq i neveritur sa më duket se janë disa prej jush”, deklaroi ai.
Kreu i qeverisë argumentoi se debati publik është ndikuar nga informacionet e shpërndara në rrjetet sociale dhe ftoi qytetarët të njihen drejtpërdrejt me dokumentet dhe kushtet e vendosura nga shteti shqiptar në negociatat me investitorët.
“Ejani të verifikoni vetë faktet, merrni provat e nevojshme për t’u ndjerë të lehtësuar dhe krenarë se si institucionet tona e kanë menaxhuar qoftë interesimin për Sazanin dhe për interesimin për Zvërnecin. Ne nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve, ne përfaqësojmë interesat e Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.
Sipas tij, qeveria ka vendosur dy kushte themelore në raport me projektin për ishullin e Sazanit.
“Ishulli nuk shitet, nuk jepet me qira dhe është e mbetet pronë e shtetit shqiptar. Ndërkohë që shteti kërkon të marrë pjesë në investim dhe kërkon pjesë nga investimi në interes të popullit shqiptar”, u shpreh kryeministri.
Rama hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se janë bërë ndryshime ligjore për të favorizuar projektet në zonat e mbrojtura, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Ai tha se në disa raste investitorët janë tërhequr për shkak të kërkesave rigoroze të vendosura nga institucionet shqiptare.
“Ejani të shikoni se kush iu ka thënë në mënyrë të përbindshme që ne kemi ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura. Kjo është një rrenë”, deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur thirrjeve të protestuesve për negociata, Rama tha se nuk e sheh këtë çështje si objekt negocimi politik.
“Halli është se kur unë i them këto, përgjigjja juaj është ‘nuk ka negociata’. Unë nuk kam asnjë negociatë me ju, sepse nuk negocioj kontratën me ata që më kanë votuar. Ta bëjmë Shqipërinë një princeshë të turizmit bregdetar, këto nuk negociohen”, tha ai.
Kryeministri shtoi se fati i projektit në Zvërnec do të varet nga cilësia e propozimit që do të paraqitet, ndërsa u shpreh i gatshëm për dialog mbi mënyrat e harmonizimit të zhvillimit ekonomik me mbrojtjen e mjedisit.
“Lidhur me fatin e zhvillimit në Zvërnec, do e vendosë cilësia e projektit. Unë jam në dispozicion në çdo kohë për mënyrën se si të harmonizohet mjedisi”, deklaroi Rama.
Në fund të fjalës së tij, ai akuzoi kundërshtarët politikë se po përpiqen të përfitojnë nga protesta, ndërsa shprehu vlerësim për pjesëmarrjen e të rinjve në debatet publike.
“Për të rinjtë dhe të rejat kam simpati. Fundja, një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë për Tiranën, kanë pastruar zhulin e molotovarëve”, u shpreh kryeministri.


