Kupa e Botës 2026 po afrohet mes pritshmërive të mëdha sportive, por vëmendja nuk do të përqendrohet vetëm te yjet e futbollit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të luajë një rol të rëndësishëm në sfondin e kompeticionit që do të organizohet nga SHBA, Meksika dhe Kanadaja.
Për shkak të profilit të tij politik dhe stilit shpesh të diskutueshëm, Trump konsiderohet si një nga figurat që mund të ndikojë më shumë në narrativën e turneut, edhe pse jashtë fushës së lojës. Analistët vlerësojnë se deklaratat dhe vendimet e tij mund të tërheqin po aq vëmendje sa performancat e emrave të mëdhenj të futbollit botëror.
Në këtë Botëror pritet të marrin pjesë disa prej yjeve më të njohur të sportit, si Lionel Messi, Vinícius Júnior, Lamine Yamal dhe Cristiano Ronaldo. Megjithatë, zhvillimet politike dhe vendimet që lidhen me emigracionin, sigurinë apo hyrjen në territorin amerikan mund të ndikojnë në organizimin dhe atmosferën e garës.
Një ndër temat që ka nxitur diskutime lidhet me mundësinë e kufizimeve për hyrjen në SHBA të personave të lidhur me futbollin, ndërsa vëmendje ka marrë edhe prania e Trumpit në aktivitetet e organizuara nga FIFA. Nga ana e saj, organizata ndërkombëtare ka theksuar vazhdimisht se fokusi kryesor duhet të mbetet te futbolli dhe gara sportive.
Vlen të kujtohet se SHBA siguroi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit, duke krijuar një lidhje të veçantë mes figurës së tij dhe këtij kompeticioni.
Me pjesëmarrjen rekord të 48 kombëtareve dhe interesin global që shoqëron turneun, Botërori 2026 pritet të jetë jo vetëm një festë e futbollit, por edhe një skenë ku politika dhe sporti mund të ndërthuren më shumë se kurrë më parë.


