Interesi i fermerëve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes vijon të rritet. Deri më tani, rreth 21 mijë fermerë kanë aplikuar për të përfituar subvencione, ndërsa këtë vit vërehet një ndryshim i qartë i fokusit: blegtoria ka lënë pas aplikimet për tokën bujqësore.
Sipas zv.ministrit pranë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, rritja e financimit dhe ndryshimi i kritereve për numrin e krerëve kanë shtuar ndjeshëm interesin e blegtorëve.
“Nëse bëjmë një llogaritje, rreth 14 mijë aplikime janë nga blegtorët, ndërsa afërsisht 6 mijë lidhen me tokën bujqësore. Qarku që kryeson për numrin e aplikimeve është Fier”, deklaroi ai.
Në dispozicion të fermerëve janë vendosur 12 masa mbështetëse, që përfshijnë si Skemën Kombëtare ashtu edhe atë të Investimeve. Një nga ndryshimet më të rëndësishme të këtij viti është heqja e naftës falas pas gjashtë vitesh dhe zëvendësimi i saj me mbështetje direkte për sipërfaqen e tokës.
Sipas autoriteteve, skema e re u jep fermerëve mundësinë të aplikojnë në disa masa njëkohësisht, duke zgjeruar mundësitë për përfitim.
Një nga masat që tërhoqi vëmendje të madhe është mbështetja për fermerët e rinj, të cilët mund të përfitojnë deri në 10 mijë euro. Megjithatë, numri i aplikimeve në këtë kategori mbetet i ulët për shkak të keqkuptimit të procedurave.
Ekspertët sqarojnë se fondi nuk jepet paraprakisht. Fermerët duhet fillimisht të kryejnë investimin dhe ta dokumentojnë atë me fatura blerjeje. Vetëm pas verifikimit nga inspektorët e Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, përfituesit mund të marrin deri në 10 mijë euro ose 70% të vlerës së investimit.
Investimet mund të përfshijnë blerjen e bagëtive, bletëve, pajisjeve bujqësore, rezervuarëve apo mjeteve të tjera të nevojshme për aktivitetin bujqësor dhe blegtoral.
Për zbatimin e Skemës Kombëtare janë vënë në dispozicion 5.2 miliardë lekë, ndërsa afati i fundit për aplikim është data 26 qershor.


