Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj kundërshtimeve për projektin turistik në Zvërnec, duke ironizuar protestuesit dhe duke u bërë thirrje të tregojnë më shumë përgjegjësi ndaj mjedisit.
Në një deklaratë publike, Rama tha se ata që pretendojnë se po mbrojnë flamingot duhet të shmangin lëvizjen me automjete në plazh, pasi sipas tij kjo dëmton habitatin natyror të shpendëve dhe mund t’i largojë ato nga zona.
Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu ndotjen e mjedisit, duke pretenduar se pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në terren kishin mbetur mbetje të ndryshme, përfshirë kanoçe birre.
Sipas Ramës, flamingot u rikthyen në lagunat e zonës pas vendosjes së moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë, ndërsa debati aktual për investimin në Zvërnec nuk lidhet domosdoshmërisht me mbrojtjen e natyrës.
“Një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre, se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë. Po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës”, u shpreh Rama.


