Futbolli kosovar është në zi pas ndarjes së parakohshme nga jeta të futbollistit të ri Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 22-vjeçare si pasojë e një aksidenti.
Lajmi është bërë publik përmes një njoftimi nga fshati Samadraxhë, vendlindja e tij, ku familjarët dhe komuniteti lokal kanë shprehur dhimbjen për humbjen e sportistit të talentuar.
“Ka ndërruar jetë tragjikisht Fatjon Fatmir Bunjaku. Në emër të të gjithë banorëve të fshatit i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Bunjaku ishte një emër i njohur në futbollin kosovar dhe konsiderohej një prej lojtarëve me perspektivë. Së fundmi ai ishte pjesë e ekipit të Elbasanit në Shqipëri, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte veshur fanellat e disa klubeve të rëndësishme në Kosovë.
22-vjeçari ka luajtur për klubet Malisheva, Liria, Gjilani dhe Trepça, duke spikatur me paraqitjet e tij në kampionatet vendase. Ai kishte qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës, ku konsiderohej një talent premtues për të ardhmen.
Vdekja e tij ka tronditur familjarët, miqtë, bashkëlojtarët dhe komunitetin sportiv, ndërsa priten reagime nga klubet ku ka luajtur dhe nga institucionet e futbollit në Kosovë.
Humbja e Fatjon Bunjakut përbën një goditje të rëndë për futbollin kosovar, i cili humb një sportist të ri me potencial të madh dhe një të ardhme premtuese në fushën e blertë.


