DURRËS- “Blutë” e Durrësit raportojnë se kanë arrestuar shoferin, i cili një ditë më parë shkaktoi një aksident tragjik, duke i marrë jetën dy fëmijëve të mitur, të cilët ishin duke luajtur, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.
Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se në pranga vunë shtetasin Nikoll Radaçi, 57 vjeç, i cili duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e makinës dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç. Nga aksidenti i rëndë humbën jetën fëmijët e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç, ndërsa i mituri tjetër, një 8 vjeçar ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.
“Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës”, sqaron policia.
Shoferi problematik, ishte i dehur
Policia thotë se nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se 57-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.
Ai akuzohet veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”./Radar.al


