SPAK ka goditur një grup kriminal ndërkombëtar të trafikut të kokainës, duke zbardhur 8 episode të trafikimit të drogës gjatë vitit 2020 nga Peruja, Ekuadori dhe Kolumbia drejt Holandës dhe vendeve të tjera europiane.
Sipas hetimeve, në disa raste bëhet fjalë për sasi të mëdha droge të fshehura në kontejnerë me lëngje frutash, banane, ton dhe rrush të thatë, ndërsa një pjesë e ngarkesave janë sekuestruar në Portin e Roterdamit dhe nga autoritetet holandeze.
Mes episodeve më të rënda rezultojnë:
- mbi 1 ton kokainë e nisur nga Peruja drejt Roterdamit në prill 2020
- 2 ton kokainë nga Ekuadori drejt Holandës në qershor 2020
- 516 kg kokainë të kapura në Peru
- 500 kg kokainë të sekuestruara në Roterdam
- rreth 1600 kg kokainë në gusht 2020, ku 104 kg u kapën në autostradën A2 në Holandë
- 1238 kg kokainë të fshehura në ngarkesë me banane
- 531 kg kokainë të kapura në tetor 2020 në Roterdam.
Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi 232 pasuri, të cilat dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal.
Çfarë është sekuestruar:
- kompani dhe kuota biznesesh në Tiranë, Lezhë, Shëngjin dhe Fushë Arrëz
- 60 pasuri të paluajtshme, mes tyre toka, apartamente, hotele dhe poste parkimi në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë e Himarë
- 89 automjete të ndryshme
- 72 llogari bankare të personave fizikë e juridikë nën hetim.
Vlera totale e aseteve të bllokuara llogaritet rreth 12 milionë euro.
Operacioni është realizuar me mbështetjen e Policisë së Shtetit, Agjencisë së Administrimit të Pasurive, si dhe në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet franceze, holandeze dhe britanike.


