GREQI-Ngjarja në Trikala ka marrë përmasa tragjike që nga shpërthimi dhe zjarri i madh që nisi në orët e para të kësaj të hëne në fabrikën e njohur të biskotave “Violanta” në Greqi, pasi deri më tani 4 gra janë gjetur të vdekura ndërsa dy të tjera rezultojnë të zhdukura.
Zjarri shpërtheu pak para orës 04:00 të mëngjesit dhe dogji një krah të fabrikës.
Pak kohë më parë, një shpërthim i fuqishëm kishte ndodhur në bodrumin e ndërtesës kryesore të fabrikës që ndodhet në rrugën kombëtare Trikala-Kardicë.
Bazuar në informacionet e deritanishme punëtoret femra ndodheshin në vendin e shpërthimit, ndërsa pesë punëtore të tjera dhe një zjarrfikës u dërguan në spital. Sipas informacioneve, të gjithë të plagosurit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Shpërthimi që shkaktoi zjarrin e madh në objekte në orët e para të së hënës ndodhi në qendër të fabrikës Violanta. Tragjedia mund të ishte edhe më e madhe, por në ato momente ka pasur në proces pune shumë pak punonjëse. Siç shihet nga shkatërrimi i zonës specifike dhe shpërndarja e objekteve që u hodhën, shpërthimi ishte shumë i fuqishëm. Duke folur për “Protothema”, zëvendësguvernatorja e Trikalës, Chrysa Dinti, foli për një “valë të madhe goditjeje” nga shpërthimi që shkaktoi zjarrin e madh. “Informacioni që kam është se tre gra të djegura janë nxjerrë nga bodrumet e fabrikës dhe dy të tjera rezultojnë të zhdukura”, tha fillimisht Dinti./Radar.al


