Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi sot se pijet e lira me sheqer dhe pijet alkoolike po shkaktojnë rritje të obezitetit, diabetit dhe sëmundjeve të tjera kronike në mbarë botën. Fëmijët dhe të rinjtë janë grupet më të prekur nga këto zakone konsumimi, paralajmëron OBSH.
Në bazë të raporteve të publikuara nga organizata me seli në Gjenevë, OBSH rekomandon vendosjen ose rritjen e taksave mbi këto pije, duke i bërë ato më të shtrenjta dhe duke ulur konsumimin e tyre, ndërkohë që do të gjeneroheshin më shumë të ardhura për sistemet shëndetësore.
“Taksat për shëndetin janë një nga mjetet më efektive për të parandaluar sëmundjet dhe për të promovuar shëndetin,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas OBSH-së, 116 vende tashmë aplikojnë taksa mbi pijet freskuese dhe ato me sheqer, por shumë produkte të tjera, si lëngjet 100% frutash, pijet e qumështit të ëmbël dhe kafenë apo çajin e gatshëm, mbeten pa taksa.
Organizata vuri gjithashtu në dukje se 25 vende, kryesisht në Evropë, përfshirë Gjermaninë, nuk aplikojnë taksa akcize për verën. Pijet alkoolike të forta, si vodka, rakia, konjaku dhe uiski, tatohen sipas standardeve të alkoolit, ndërsa birra ka një taksë specifike.
“Konsumi i alkoolit mund të çojë në dhunë, aksidente dhe sëmundje,” paralajmëroi drejtori i OBSH-së për parandalimin e sëmundjeve, Etienne Krug.


