Situata në fshatin Miliska të Njësisë Administrative Thumanë vijon të jetë alarmante, pasi prej katër ditësh zona ndodhet nën pushtetin e ujit.
Çarja e argjinaturës së lumit Drojë ka sjellë prurje të mëdha, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe dhjetëra banesa. Uji ka depërtuar në shtëpi, duke i bërë shumë prej tyre të pabanueshme.
Një pjesë e banorëve janë detyruar të kalojnë netët jashtë, ndërsa të tjerë kanë mbetur të izoluar brenda banesave, pa mundësi lëvizjeje. Për shkak të përmbytjeve, është ndërprerë edhe furnizimi me ushqime bazë.
Banorët apelojnë për ndihmë urgjente nga institucionet, duke theksuar se mungojnë bukë, ushqime dhe ndihma jetike, ndërsa rreziku nga uji i lartë vijon të mbetet i pranishëm.


