Kreu i Agjencisë së Emergjencave Civile, Haki Çako, ka inspektuar urën e Mifolit dhe zonën e Novoselës, pas rritjes së ndjeshme të prurjeve të lumit Vjosë, i cili ka arritur nivelin 5 metra, duke rritur rrezikun e daljes nga shtrati.
Çako e cilësoi këtë zonë si një “pikë nevralgjike” dhe tha se situata po monitorohet në kohë reale, jo vetëm në Vlorë, por edhe në jug të vendit, në Gjirokastër dhe Memaliaj, ku pritet rritje e mëtejshme e prurjeve dhe mundësi krijimi situatash problematike.
Sipas tij, reshjet intensive të ditëve të fundit – dhe ato të parashikuara në vijim – kërkojnë angazhim të plotë të strukturave të emergjencave, të cilat ndodhen në terren për reagim të menjëhershëm.
Gjatë inspektimit, Çako u ndal edhe në qarkun e Vlorës, ku në Delvinë dhe Finiq janë evakuuar banorë për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Ai theksoi se objektivi kryesor është stabilizimi i situatës, ndërsa ekipet mbeten në gatishmëri të plotë, sidomos për fshatrat e Novoselës.
Prurjet e Vjosës vijojnë të rriten dhe orët në vijim do të jenë vendimtare për situatën në urën e Mifolit.


