Emergjencat pranë Bashkisë së Vlorës janë pozicionuar pranë urës së Mifolit, në shtratin e lumit Vjosë, ku po kryhet përforcimi i argjinaturës me rreth 800 metra kub materiale, për ta ngritur mbi nivel dhe për të parandaluar rrezikun nga prurjet e mundshme.
Ndërhyrja po kryhet në ato pjesë të dëmtuara të argjinaturës, me qëllim që të reagojnë në kohë dhe të shmangin përmbytjet. Kanan Shakaj, kreu i Njësisë Administrative Novoselë, tha se Vjosa ka kohë që nuk ka dalë nga shtrati, por situata duhet mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm. “Po hedhim materiale dhe presim zhvillimet e situatës, sidomos për reshjet që parashikohen gjatë mbrëmjes,” tha Shakaj.
Ai shtoi se janë bërë njoftimet e nevojshme për familjet që jetojnë pranë lumit Vjosë, për të siguruar ndërhyrje të menjëhershme në rast emergjence. Aktualisht nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë, por po merren të gjitha masat paraprake.
Sipas parashikimeve, Vlora deri të enjten në mëngjes paraqitet me rrezik nga reshjet intensive, ndërsa zona e Novoselës, për shkak të lumit Vjosë dhe prurjeve të mundshme, konsiderohet më e rrezikuar. Struktura lokale po vijon ndërhyrjet në argjinaturë për të mbajtur situatën nën kontroll.


