Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas lajmit se SPAK ka lëshuar një fletëthirrje ndaj tij në lidhje me hetimet për ngjarjet e 21 Janarit. Ai deklaroi se personalisht nuk ka marrë asnjë njoftim dhe akuzoi drejtues të Prokurorisë së Posaçme për publikim të informacionit në media përpara se t’i dorëzohej atij.
“S’kam marrë asnjë fletëthirrje. Alfred Greca ua jep gazetarëve para se të ma japë mua,” u shpreh Berisha. Ai theksoi se nuk ka asnjë rezervë ndaj hetimeve dhe pretendoi se ka qenë ndër zërat që kanë kërkuar hetim të plotë ndërkombëtar për ngjarjen tragjike të vitit 2011.
“Unë jam njeriu që kam kërkuar më shumë se kushdo tjetër hetimin e asaj ngjarjeje. Kam kërkuar prokuror ndërkombëtar. Nga 2013-ta deri më sot ka qenë vetëm Edi Rama që ka penguar hetimin,” deklaroi Berisha, duke shtuar se ekzistojnë edhe deklarata të zyrtarëve amerikanë që mbështesnin kërkesën për hetime të thelluara.
Ai përsëriti se është “plotësisht i hapur” të hetohet për ngjarjet e 21 Janarit, ndërsa aludoi se organizatori i asaj dite “dihet kush është”, pa dhënë emër konkret.


