Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të kryesuar nga Anke Weber, ku u vlerësua forcimi i Lekut dhe qëndrueshmëria e ekonomisë shqiptare përballë sfidave globale.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet më të fundit ekonomike e financiare, politikat monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë dhe masat për forcimin e sektorit bankar.
Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka treguar elasticitet dhe rritje të qëndrueshme, me inflacion të ulët, rritje të punësimit dhe borxh publik në ulje.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, vendi regjistroi një rritje ekonomike prej 3.6%, ndërsa papunësia zbriti në nivelin më të ulët historik prej 8.5%. Pagat reale u rritën ndjeshëm dhe inflacioni po afrohet drejt objektivit 3%.
Guvernatori shtoi se sistemi bankar mbetet likuid, i kapitalizuar dhe aktiv në kreditim, ndërsa politika fiskale konsoliduese ka ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan politikën monetare të kujdesshme të Bankës së Shqipërisë dhe theksuan se kursi i lirë i këmbimit ka luajtur një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar.
Sipas tyre, forcimi i Lekut është rezultat i flukseve të larta valutore, të ndikuara nga turizmi dhe investimet e huaja direkte, dhe jo i ndërhyrjeve administrative.
FMN vlerësoi gjithashtu anëtarësimin e Shqipërisë në sistemin SEPA që hyn në fuqi në tetor 2025, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar me Bashkimin Europian.
Në fund të takimit, të dy palët konfirmuan bashkëpunimin e ngushtë midis Bankës së Shqipërisë dhe FMN-së, si dhe nisjen e punës për programin e vlerësimit të sektorit financiar (FSAP) që do të realizohet gjatë vitit të ardhshëm.


