TIRANË-Krimi i rëndë i një dite më parë ku i vrarë mbeti gjyqtari Astrit Kalaja, ishte një ngjarje e paralajmëruar më parë nga vetë xhaxhai i Elvis Shkëmbit, Gjon Shkëmbi.
Një vit më herët ai bëri një kërcënim të hapur publik ndaj paditësit të tij në një televizion kombëtar. Duke cituar fjalët e tij, Shkëmbi kërcënonte se do të ndërmerrte veprime ekstreme nëse prona e tij nuk lirohej.
“Ja gjej unë formën si ta liroj. Do ta minoj në të katër qoshet, sepse është prona ime, e kam me certifikatë. Të gjithë do t’i hedh në erë. Ju paralajmëroj, të gjithë do t’ju hedh në erë.”- deklaronte Gjon Shkëmbi më parë.
NGJARJA 6 TETOR 15:35
Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkëmbi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkëmbi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën./Radar.al


