Lumi Vjosa është përfshirë zyrtarisht në programin “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s, duke u bërë pjesë e listës së trashëgimisë botërore. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi vendimin e miratuar gjatë Kongresit Botëror mbi Rezervat e Biosferës, që po zhvillohet në Kinë.
“Vjosa është përfshirë zyrtarisht në programin ‘Njeriu dhe Biosfera’, si pjesë e listës së trashëgimisë botërore”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ministrja e Arsimit dhe ish-ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila ka ndjekur nga afër procesin, shprehu mirënjohje për ekipet e përfshira në këtë arritje — Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, si dhe ekspertët e UNESCO-s. Ajo kujtoi vizitën e vitit 2023 me Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, në luginën e Vjosës, si një moment kyç në këtë rrugëtim.
Përfshirja e Vjosës në këtë program kurorëzon një proces katërvjeçar për mbrojtjen e një prej ekosistemeve më të pasura dhe të paprekura në Evropë. Kjo njohje ndërkombëtare synon të garantojë ruajtjen e biodiversitetit, zhvillimin e qëndrueshëm të zonës dhe promovimin e vlerave natyrore të Shqipërisë në arenën globale.
I njohur si një nga lumenjtë e fundit të egër të kontinentit, Vjosa u shpall “Park Kombëtar” në mars të vitit 2023, pas përpjekjeve shumëvjeçare të organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare për ta mbrojtur nga ndërtimi i digave hidroenergjetike.
Me një gjatësi prej 272 kilometrash, lumi buron nga malet e Pindit në Greqi dhe përshkon Shqipërinë deri në derdhjen në detin Adriatik, duke pasur ndër prurjet më të mëdha ujore në vend.
Ky vendim e pozicionon Vjosën si një simbol të mbrojtjes së natyrës shqiptare dhe një pasuri me rëndësi globale.


