Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik ka dalë në dritë në Shqipëri: një dhomë varri romake e shekujve III–IV pas Krishtit, e para e këtij lloji e gjetur ndonjëherë në vend. Lajmin e bën të ditur agjencia ndërkombëtare Reuters, duke e cilësuar si një gjetje të veçantë për rajonin ballkanik që dikur ishte pjesë e Perandorisë Romake.
Varri monumental, me përmasa 9×6 metra, u zbulua në fillim të gushtit pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, pasi banorët vendas vunë re disa gurë të pazakontë në një pllajë. Pas gërmimeve të Institutit të Arkeologjisë, u evidentuan pllaka të mëdha guri gëlqeror me mbishkrime greke, të cilat zbulojnë emrin e të ndjerit – Gelliano, një emër tipik i kohës romake.
“Besojmë se kemi të bëjmë me një person të klasës së lartë. Përveç mbishkrimeve, gjetëm edhe një fragment pëlhure të qëndisur me fije ari, pllaka qelqi dhe thika,” tha Erikson Nikolli, kryearkeologu i projektit.
Studiuesit mendojnë se në varr prehen dy persona, ndërsa një mbishkrim tjetër i kushton vendin perëndisë Jupiter. Megjithatë, dhoma është plaçkitur disa herë gjatë historisë, përfshirë një herë në antikitet dhe më vonë kur makineri të rënda dëmtuan strukturën.
Autoritetet shqiptare tashmë kanë në plan ta kthejnë këtë sit në një atraksion turistik, në një kohë kur vendi po përjeton rritje të ndjeshme të vizitorëve. Ndërkohë, banorët janë dyndur në zonë për të parë nga afër zbulimin e rrallë.


