Një ngjarje e rëndë ka tronditur New Yorkun vetëm pak ditë para nisjes së Botërorit që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Gjashtë persona mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë në Penn Station, një nga nyjet më të rëndësishme të transportit në qytet, e vendosur pranë Madison Square Garden.
Incidenti ndodhi në prag të ndeshjes së tretë të finales së NBA-së, një përballje që ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe ku pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur nëse ngjarja do të sjellë masa shtesë sigurie për këtë aktivitet sportiv.
Sulmi ka marrë jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare, ndërsa vëmendja është e përqendruar te siguria në SHBA, vetëm pak ditë para fillimit të turneut botëror të futbollit.
Policia e New Yorkut konfirmoi se autori i dyshuar është arrestuar. Sipas autoriteteve, një prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët po marrin trajtim mjekësor.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e sulmit. Ndërkohë, kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, reagoi përmes rrjeteve sociale duke shprehur solidaritet me viktimat.
“Mendimet e mia janë me të gjithë të lënduarit, familjarët e tyre dhe me çdo person që u trondit nga kjo akt dhune i papranueshëm”, u shpreh ai.


