Në një gjest diplomacie me simbolikë të fortë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i dorëzoi sot zonjës së parë të SHBA-së, Melania Trump, një letër nga bashkëshortja e tij, Olena Zelenska.
Në letrën e saj, zonja e parë e Ukrainës shprehte mirënjohje për përpjekjet e Melania Trump për të ngritur zërin mbi çështjen e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer dhe mbajtur në Rusi.
“Nuk është për ty, është për bashkëshorten tënde,” iu drejtua Zelensky me humor presidentit Donald Trump, teksa ia dorëzonte personalisht letrën.
Ky gjest ndodhi vetëm pak ditë pas samitit të tensionuar në Alaskë, ku Trump dhe Vladimir Putin diskutuan për një armëpushim në Ukrainë, por negociatat përfunduan pa një marrëveshje konkrete për paqen.
Kujtojmë se Melania Trump i kishte dërguar më herët një letër vetë presidentit rus, duke ngritur shqetësimin për gjendjen dramatike të fëmijëve të prekur nga lufta.


