Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar me një letër publike ministrit të Financave, Petrit Malaj, ku kërkon ndryshime të thella në sistemin e tatimit mbi pasuritë e paluajtshme. Sipas APL, tatimi aktual prej 15% mbi fitimin kapital nga shitja e banesës është i padrejtë dhe rëndon sidomos shtresat e mesme dhe të ulëta.
Në letër theksohet se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian përjashtojnë plotësisht ose aplikojnë reduktime të mëdha të tatimit mbi banesën kryesore – deri në 80% – duke e konsideruar strehimin bazë si një e drejtë themelore sociale. Duke ndjekur këtë model, APL propozon që:
Banesa kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi ndërtesat ose të tatohet me një normë simbolike.
Fitimi nga shitja e saj të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital, sipas praktikave të OECD dhe vendeve të BE-së.
Për banesat e tjera, Aleanca sugjeron një tatim progresiv, të korrigjuar për efektet e inflacionit dhe kostot e justifikuara financiare, si interesat hipotekore apo shpenzimet e rikonstruksionit, në mënyrë që të tatohet vetëm fitimi real dhe jo rritja artificiale e çmimeve.
Një tjetër kërkesë është diferencimi i tatimit në bazë të qëllimit dhe origjinës së pasurisë. APL propozon të bëhet dallim mes:
Pasurive për përdorim vetjak.
Pasurive të përdorura për aktivitet ekonomik (qira, zhvillim, shitje).
Pasurive të trashëguara për motive familjare dhe të përdorura në mënyrë sporadike (p.sh. shtëpi pushimi).
Ky diferencim, sipas APL, do të shmangte barazimin e padrejtë mes një prone të dytë të trashëguar dhe investimeve të qëllimshme në tregun e pasurive të paluajtshme, duke siguruar drejtësi fiskale dhe duke parandaluar spekulimet e tepruara.
Në lidhje me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili pritet të nisë vitin e ardhshëm, APL kundërshton normën 5% të parashikuar në projektligj dhe propozon që ajo të ulet të paktën në 3%.
Gjithashtu, Aleanca kërkon që baza tatimore të llogaritet mbi vlerën reale të tregut, të përcaktuar nga burime të besueshme dhe tregu i lirë, duke përdorur referencat tatimore vetëm kur mungojnë të dhënat ose kur çmimi i deklaruar është qartësisht fiktiv.
Si nxitje për qarkullimin e kapitalit dhe zhvillimin e sektorit të ndërtimit, APL sugjeron rimbursim të plotë të tatimit mbi fitimin kapital kur të ardhurat nga shitja riinvestohen brenda 12 muajve, një praktikë e aplikuar me sukses në vende si Hungaria, Italia, Gjermania dhe SHBA.
Në fund, Aleanca thekson se një normë tatimore jo më e lartë se 3% mbi ndërtesat dhe tokën e zëna do të rrisë të ardhurat buxhetore, do të ulë informalitetin dhe do të nxisë formalizimin e pronësisë. Paralelisht, kërkohet forcimi i mekanizmave të kontrollit mbi burimin e të ardhurave për blerjen e pasurive, për të parandaluar pastrimin e parave dhe për të mbrojtur integritetin e tregut.
APL shpreh gatishmërinë për të marrë pjesë në procesin e konsultimit publik, me synimin për të ndërtuar një sistem tatimor mbi pasuritë e paluajtshme që të jetë i drejtë socialisht, nxitës ekonomikisht dhe i zbatueshëm në praktikë.


