Në një sallë gjyqi në Saarbrücken të Gjermanisë, një 37-vjeçar shqiptar ka pranuar se ishte përfshirë në kultivimin e një plantacioni të madh kanabisi, të instaluar në mënyrë profesionale në ambientet e një ish-kineje në Merchweiler. Ai pretendon se kishte vepruar duke besuar se aktiviteti ishte i ligjshëm dhe se droga do të përdorej për qëllime farmaceutike.
Sipas deklarimeve të tij në gjykatë, shqiptari kishte pranuar të punonte për tre muaj në një “kopshtari”, për një pagesë prej 5,000 eurosh – shumë që i nevojitej urgjentisht për të mbuluar shpenzimet e një operacioni për vajzën e tij. Punën ia kishte ofruar një bashkëkombës, të cilin – sipas tij – nuk e njihte mirë dhe e kishte takuar rastësisht në një bar në Shqipëri.
Por autoritetet gjermane nuk janë bindur nga versioni i tij. Prokuroria e akuzon 37-vjeçarin për kultivim dhe trafikim të drogës në kuadër të një bande të strukturuar kriminale. Dy persona të tjerë, që dyshohet se janë pjesë e të njëjtit grup, janë ende në arrati.
Plantacioni u zbulua në nëntor të vitit të kaluar kur një punonjës i kompanisë së energjisë hasi dy kabllo të paligjshme elektrike dhe ndjeu erën e fortë të kanabisit, çka çoi në një kontroll të policisë dhe sekuestrimin e 2,572 bimëve gati për korrje, secila me gjatësi rreth 85 cm. Ambienti i brendshëm ishte përshtatur me investime të konsiderueshme dhe pajisje moderne për rritjen e bimëve.
37-vjeçari kishte lënë gjurmë në vendngjarje dhe u arrestua më pas në Shqipëri, për t’u ekstraduar në Gjermani ku ndodhet aktualisht në paraburgim, në pritje të vendimit të gjykatës.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar të gjithë rrjetin që qëndron pas këtij aktiviteti të paligjshëm, që dyshohet se ishte ndërtuar për të gjeneruar fitime të mëdha.


