Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër të pandehur, të akuzuar për përfshirje në një skemë blerjeje votash gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Të pandehurit Ndoc Guri dhe Arben Kolaj akuzohen për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa Ndrekë Lera dhe Ilir Sokoli për “Korrupsion aktiv në zgjedhje” të kryer në bashkëpunim.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar një model të organizuar të blerjes së votave, ku qytetarëve u ofroheshin rreth 5 mijë lekë për të votuar një subjekt të caktuar politik. Pagesat kryheshin ose direkt për votën e vetë zgjedhësve, ose përmes ndërmjetësve që ndikonin tek persona të tjerë.
Nga përgjimet telefonike të administruara gjatë hetimit, shtetasi Ndrekë Lera rezulton të ketë luajtur një rol kyç në koordinimin e pagesave dhe komunikimeve për blerjen e votave.
SPAK ka dorëzuar dosjen pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për gjykim me marrëveshje fajësie.


