Momente prekëse në Samitin e NATO-s: Trump emocionohet nga gazetarja ukrainase, premton mbështetje për vendin e saj
Gjatë një konference për shtyp në kuadër të Samitit të NATO-s në Hagë, një moment prekës u regjistrua kur një gazetare ukrainase i drejtoi një pyetje presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me dërgimin e sistemeve mbrojtëse ajrore Patriot në Ukrainë.
Gazetarja e BBC-së, e cila tha se bashkëshorti i saj është ushtar në frontin e luftës kundër Rusisë, pyeti nëse SHBA është e gatshme të ndihmojë Ukrainën me sistemet e kërkuara.
Trump u ndal për një moment dhe u interesua për origjinën e saj, duke u prekur nga fakti që ajo ishte ukrainase dhe se burri i saj po luftonte aktualisht. “Jeni e mrekullueshme… e imagjinoj sa e vështirë është,” tha ai. Ai shtoi më tej: “Ukraina i dëshiron me çdo kusht sistemet Patriot. Do të shohim nëse mund të vendosim disa në dispozicion, janë shumë të kërkuara, edhe ne kemi nevojë për to, por do e shqyrtojmë.”
Në fund të bisedës, Trump e përshëndeti gazetaren duke i kërkuar të dërgonte një mesazh burrit të saj në emër të tij.
Ky moment njerëzor u përshëndet gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa komentuesit e cilësuan si një ndër ndërveprimet më të sinqerta të konferencës së liderëve të NATO-s.
Biseda e plotë
Gazetarja: BBC Ukraina
Trump: Nga je?
Gazetarja: Jam nga Ukraina.A është SHBA gati t’i shesë sisteme mbrojtëse ajrore Patriot Ukrainës? E dimë që Rusia po e godet Ukrainën shumë fort.
Trump: Je nga Ukraina? Jeton atje?
Gazetarja: Burri im është atje tani.
Trump: Jeni e mrekullueshme.. burri juaj është në shërbim atje?
Gazetarja: Po
Trump: E imagjinoj sa e vështirë është, dhe ti jeton këtu?
Gazetarja: Në Oslo
Trump: Dhe je reportere
Gazetarja: Po
Trump: Në rregull, më lejo të them. Ukraina dëshiron të marrë sistemet Patriot. Ne do të shohim nëse mund të vëmë disa në dispozicion. Janë shumë të vështira për t’u siguruar. Edhe ne kemi nevojë për to. Kemi furnizuar Izraelin dhe janë shumë efektive, 100 për qind efektive. Dhe ukrainasit i duan më shumë se çdo gjë tjetër. Ishte një pyetje shumë e mirë. Ju uroj shumë fat. Shoh që kjo gjë ju prek vërtet. Prandaj, dërgojini një përshëndetje burrit tuaj, mirë?”


