Prokuroria e Lezhës ka dërguar për gjykim çështjen që lidhet me kultivimin e kanabisit në zonën e Kashnjetit, duke marrë të pandehur tre persona, mes tyre Armando Ndreca, 30 vjeç, vëllai i deputetit socialist Eduard Ndreca.
Së bashku me të, janë marrë të pandehur edhe Armel Nikdukaj dhe Elvis Spellzaj, të cilët akuzohen për veprat penale:
• “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”
• “Kultivimi i bimëve narkotike”
• “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”
Sipas hetimeve, të pandehurit kishin përshtatur një stan pranë fshatit Kashnjet për kultivimin e drogës. Gjatë një operacioni të policisë, u sekuestruan:
• 2973 bimë kanabis sativa
• fidanë gati për mbjellje
• një sasi e konsiderueshme lënde narkotike
• 50 llampa ndriçimi
• pajisje ventilimi dhe mjete të tjera që shërbenin për rritjen e bimëve.
Seanca paraprake do të zhvillohet në ditët në vijim dhe do të drejtohet nga gjyqtari Lirim Bulica, i cili do të vendosë për kalimin e çështjes në gjykim.


