Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Tiranë, ku pesë vajza të mitura po hetohen nga Policia pasi akuzohen për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj një bashkëmoshatareje, duke e përçmuar publikisht në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, të miturat jo vetëm që kanë ushtruar dhunë ndaj viktimës, por kanë filmuar momentet tronditëse dhe i kanë shpërndarë qëllimisht në platforma online, në përpjekje për ta poshtëruar dhe turpëruar publikisht.
Materialet janë referuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës nga Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik, ndërsa të rejat po procedohen penalisht në gjendje të lirë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 shtetase të mitura, pasi dyshohet se kanë publikuar në rrjete sociale një konflikt të ndodhur midis tyre me një tjetër shtetase të mitur,” thuhet në deklaratën zyrtare.


