Meta ka paralajmëruar përdoruesit evropianë të Facebook dhe Instagram se mund të përballen me një përvojë më të keqe pas një vendimi të Komisionit Evropian që ka gjobitur kompaninë me 200 milionë euro.
Pas këtij vendimi, Meta duhet të modifikojë modelin e saj “consent or pay”, i cili nuk përputhet me rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Kompania ka thënë se ndryshimet mund të ndikojnë negativisht në përdoruesit dhe fitimet e saj në Evropë, duke filluar nga tremujori i tretë i vitit.
Meta së fundmi prezantoi një model “consent or pay” i cili i lë përdoruesit të zgjedhin midis pagesës për një abonim mujor ose lejimit të Meta të kombinojë të dhënat që ka mbledhur në Facebook dhe Instagram.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian – ekzekutivi i BE-së – njoftoi se kishte vendosur që modeli nuk përputhet me Aktin e Tregjeve Digjitale (DMA) dhe e gjobiti kompaninë 200 milionë euro, shkruan BBC.
“Do na duhet të bëjmë disa modifikime në modelin tonë”, tha Meta.
Bëhet e ditur se kompania pret që këto modifikime “mund të rezultojnë në një përvojë materialisht më të keqe për përdoruesit evropianë dhe një ndikim të rëndësishëm” në biznesin dhe të ardhurat e saj evropiane.


