Së fundmi rastet e personave të prekur nga meningiti akut kanë bërë goxha bujë.
Sidomos rasti i 2 nxënësve në Durrës, ku njëri prej tyre fatkeqësisht ndërroi jetë.
Për rrjedhojë, eskpertja Xhorxhina Kuli bën me dije se situata me meningitin nuk është alarmante. Madje Kuli thekson se raste me meningit ka pasur gjithmonë.
Meningiti thuhet se shfaqet pasi fëmija apo një i ri ka kaluar një gjendje virale.
“Do të thosha që ne meningit kemi pasur dhe do të kemi, më i shpejti, ai që nuk të lë kohë të marrësh vendime, është meningiti meningokoksik. Zakonisht shfaqet pas virozëve. Meningokoku ndodhet kudo në natyrë, ne nuk e shmangim dot dhe ai është në të gjitha vendet. Problemi është që kur ke mukoza të paprekura, mund të biesh në kontakt dhe vetë trupi i bën një barrierë që nuk e lejon të kalojë në qarkullimin e gjakut apo në tru. Në momentet që këto mukoza prishen, që kalon një grip, mund të shfaqen shenjat e meningitit”, shpjegon mjekja.
Sipas Kulit nënat duhet të bëjnë shumë kujdes në mënyrë që të dallohen shenjat e para.
“Nëse e diagnostikojmë herët, shpëtimi është 100%, nëse 12-24 orë, vihet në pikëpyetje ecuria e sëmundjes. Prindërit duhet të jenë vigjilent nëse shohin temperaturë të fëmijës dhe veçanërisht duhet të kenë mendjen nëse shohin pika në lëkurë”, thotë Kuli.
Ky reagim i profesoreshës vjen menjëherë pas shqetësimit të prindërve të cilët raportohen se ditët e fundit nuk kanë lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë me idenë që të qëndrojnë sa më larg meningitit.


