Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Paris, ku u prit nga Presidenti francez Emmanuel Macron në Pallatin Élysée për një drekë pune që zgjati më shumë se dy orë.
Takimi u fokusua në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Francës, si dhe në çështje me interes të përbashkët rajonal dhe europian. Në qendër të diskutimeve ishin procesi i integrimit europian të Shqipërisë, qasja e re ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Dy liderët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi sfidat e sigurisë dhe koordinimin në kuadër të NATO-s, në prag të samiteve dhe takimeve të rëndësishme ndërkombëtare.
Vizita në Paris vjen në vazhdën e kontakteve të rregullta mes Ramës dhe Macronit, të cilët kanë zhvilluar disa takime dypalëshe gjatë viteve të fundit. Shqipëria e konsideron Francën një partner kyç në mbështetjen e perspektivës europiane të vendit dhe të rajonit.
Takimi riafirmoi angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve, si dhe për avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.


