Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë publike detaje të reja mbi projektin e autostradës Milot–Balldren, një segment strategjik i Korridorit Adriatiko-Jonian që synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe sigurinë rrugore në veri të vendit.
Sipas ministrit, aksi i ri do të ketë një gjatësi prej 17 kilometrash dhe do të ndërtohet sipas standardeve të autostradës së Kategorisë A, me nga dy korsi qarkullimi dhe korsi emergjence në secilin drejtim. Projekti parashikon një gjurmë tërësisht të re, ndërsa rruga ekzistuese do të vazhdojë të shërbejë si alternativë për përdoruesit.
Një nga elementët më të rëndësishëm të projektit është ndërtimi i një tuneli modern me dy tuba, ku secili do të ketë gjatësi 850 metra. Tuneli do të ndërtohet në segmentin mes Urës së Drinit dhe Balldrenit, duke krijuar një korridor të ri që do të anashkalojë qytetin e Lezhës dhe do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve.
Përveç tunelit, projekti përfshin ndërtimin e urave, nyjeve lidhëse, rrugëve të shërbimit dhe sistemeve inteligjente për monitorimin dhe menaxhimin e trafikut, me synimin për të rritur standardet e sigurisë dhe efikasitetit të qarkullimit.
Vlera totale e investimit është 365 milionë euro dhe do të realizohet përmes modelit të Partneritetit Publik-Privat (PPP). Kontrata koncesionare parashikohet të ketë një afat 35-vjeçar, duke përfshirë edhe infrastrukturën e nevojshme për tarifimin e automjeteve që do të përdorin këtë segment rrugor.


