Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, ka bërë thirrje për qytetarët që të aplikojnë për vendet e lira të punës të publikuara në portalin puna.gov.al, duke theksuar se aktualisht janë shpallur mbi 6500 pozicione pune në të gjithë vendin.
Përmes një postimi shoqëruar me një video informuese, Ibrahimaj nënvizoi se aplikimi mund të kryhet online në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë, ndërsa qytetarët mund të marrin asistencë pranë zyrave të punës ose përmes kanaleve të komunikimit të vëna në dispozicion nga institucionet përgjegjëse.
Sipas saj, portali puna.gov.al ofron informacion të përditësuar mbi mundësitë e punësimit dhe shërben si një pikë e vetme referimi për punëkërkuesit në Shqipëri.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive funksionon si platforma unike ku publikohen vendet e lira të punës në administratën publike, duke përfshirë jo vetëm shërbimin civil, por edhe institucionet dhe strukturat e tjera shtetërore.
Ky sistem synon të rrisë transparencën, aksesin e barabartë dhe mundësitë për punësim, duke e bërë procesin e aplikimit më të lehtë dhe më të aksesueshëm për të rinjtë dhe për të gjithë qytetarët që kërkojnë një vend pune në sektorin publik.


