Administrata Tatimore ka bërë të ditur se deri tani janë fshirë më shumë se 306 milionë euro detyrime tatimore dhe doganore, në kuadër të ligjit për faljen e detyrimeve, duke e kthyer këtë proces në një nga ndërhyrjet më të mëdha fiskale të viteve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 130 mijë tatimpagues, biznese dhe individë, kanë përfituar nga skemat e faljes së detyrimeve të prapambetura, gjobave dhe kamatëvonesave.
Pjesa më e madhe e shumës së falur lidhet me detyrime të fshira pa kushte. Konkretisht, janë shuar rreth 215 milionë euro detyrime për më shumë se 25 mijë tatimpagues, ndërsa një tjetër kategori përfshin rreth 91.6 milionë euro detyrime të fshira automatikisht për mbi 105 mijë tatimpagues.
Në këtë grup përfshihen kryesisht gjoba administrative, penalitete për deklarime ose pagesa të vonuara dhe detyrime të konsideruara të pambledhshme nga administrata.
Ligji parashikon lehtësira të ndryshme sipas periudhës së krijimit të detyrimeve. Për borxhet e krijuara gjatë viteve 2015–2019 falet 50% e principalit dhe fshihen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat, nëse pagesa kryhet brenda afateve të përcaktuara. Ndërsa për detyrimet e periudhës 2020–2024, tatimpaguesit duhet të paguajnë të gjithë principalin, por përfitojnë faljen e plotë të gjobave dhe interesave.
Një tjetër mekanizëm i përdorur është kompensimi automatik i tepricave kreditore me detyrimet ekzistuese. Deri më tani janë realizuar mbi 86 mijë transaksione kompensimi me një vlerë totale prej 10.4 milionë eurosh, duke përfituar më shumë se 13 mijë tatimpagues.
Megjithatë, procesi ka nxitur debate mes ekspertëve të ekonomisë. Ndërsa qeveria argumenton se masa ndihmon në pastrimin e stokut të detyrimeve të vjetra dhe rikthimin e bizneseve në formalitet, specialistë të fushës paralajmërojnë se faljet e shpeshta fiskale mund të krijojnë pritshmëri që detyrimet të amnistohen edhe në të ardhmen.
Bizneset që duan të përfitojnë nga skema duhet të respektojnë afatet e pagesës së principalit, me 50% të shumës që duhet të shlyhet deri më 30 qershor dhe 75% deri në fund të dhjetorit 2026.


