Një zjarr i madh që po përhapet në jugperëndim të Denverit ka detyruar evakuimin e mijëra banorëve dhe ka shkatërruar më shumë se 160 ndërtesa deri të premten, ndërsa erërat i shtynë flakët në dy qarqe të Kolorados.
Zjarri “Aspen Acres” është një nga 40 vatrat e mëdha të pakontrolluara që po digjen kryesisht në perëndim të SHBA-së, të shkaktuara nga muaj të tërë moti të thatë dhe mungesa e dëborës gjatë dimrit të kaluar në disa zona.
Ekipet zjarrfikëse po marrin ujë nga rezervuari i Pueblo-s për të luftuar flakët, të cilat deri të premten pasdite kishin përfshirë rreth 297 kilometra katrorë dhe ende nuk ishin vënë nën kontroll.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e plotë të qytetit Colorado City, si dhe të zonave Beulah, Rye dhe San Isabel, sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Pueblo.
Rreth 50 ushtarë të Gardës Kombëtare janë dërguar në terren për të ndihmuar në vendosjen e pikave të kontrollit në rrugët e qarqeve Custer dhe Pueblo.
Ata gjithashtu po mbështesin rojet e parqeve shtetërore, të cilët po përdorin mjete lundruese shtesë për të mbajtur larg qytetarët nga zonat ku po merret ujë për shuarjen e zjarrit.
Në anën perëndimore të Maleve Shkëmbore, ekipet zjarrfikëse kanë arritur të vënë nën kontroll rreth 65% të zjarrit “Snyder” në kufirin mes Kolorados dhe Jutës, ku fundjavën e kaluar tre anëtarë të një ekipi helikopterësh humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën pasi u përfshinë nga flakët.
Ndërkohë, zjarri “Cottonwood” në jugperëndim të Jutës është përhapur në rreth 380 kilometra katrorë, ndërsa zjarri “Babylon” në juglindje të shtetit ka arritur në rreth 344 kilometra katrorë.


