Ilir Meta ka përcjellë urimet e tij për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së përmes një postimi në Facebook. Në foton e publikuar, ku ai shfaqet krah George W. Bush, ai shkruan:
“Me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emrin tim dhe të Partisë së Lirisë, ju përcjell urimet më të përzemërta popullit amerikan dhe komunitetit të dashur shqiptaro-amerikan.
Mirënjohje e thellë për miqësinë e vjetër dhe të qëndrueshme, si dhe për aleancën e pazëvendësueshme dhe partneritetin e fuqishëm strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, të ndërtuar mbi vlerat frymëzuese të lirisë, demokracisë, shtetit ligjor dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, që mbeten udhërrëfyes për forcimin e institucioneve demokratike, garantimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë.
Roli vendimtar i Shteteve të Bashkuara në mbështetjen e demokracisë, veçanërisht në momentet më kritike të saj, të paqes, sigurisë dhe të stabilitetit në Shqipëri, Kosovë dhe në rajonin tonë do të mbeten përgjithmonë një arsye e veçantë mirënjohjeje dhe vlerësimi pa kufi. Gëzuar 4 Korrikun!”,shkruan Meta.


