TIRANË– Luiza Gega teksa ka qenë e ftuar në emisionin “Living Room” në Vizion Plus, është shprehur se e ka ndjerë që të bëjë një reagim ku ka kërkuar ndjesë për të gjithë ata njerëz që e kanë mbështuar për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike:
“Ndihesha e tillë në atë moment dhe prandaj e bëra këtë status. Ka shumë njerëz që më mbështesin në të gjitha format dhe i jam shumë falenderuese. Ne jemi njerëz mbi të gjitha dhe në jetën tonë ka edhe momente të mira dhe momente të këqija dhe doja ta shprehja se si ndihesha, që edhe nëse nesër ngrihem ta di ku kam qenë. Nuk jam personi që pendohem ose që i kthehem gjërave për t’i fshirë, jo ashtu e ndjeva ashtu e bëra. Nuk mendoja kurrë që do kisha një mbështetje kaq të madhe nga fansat. Ndihem shumë e lumtur për ëndrrën tim dhe faktin që kam një mbështetje kaq të madhe edhe në nje moment dobësie si ai që kalova. Ndoshta ngaqë unë i kam shprehur të gjitha, zhgënjimin, suksesin momentet e lumtura çdo gjë. Kur më pëlqen diçka e zmadhoj sepse e tillë jam unë.”- ka thënë Luiza.
Ajo është kampione e Evropës në garën e 3000 metrave me pengesa. Me rezultate të jashtëzakonshme Luiza Gega është krenaria jonë në atletikën shqiptare dhe atë evropiane. Në Lojërat Olimpike “Paris 2024” Luiza Gega mori pjesë në garën 3000 metra me pengesa. Rezultati i saj nuk ishte ai që ajo priste. U rendit në vendin e nëntë dhe nuk arriti të futej në finale.


