Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, ka finalizuar ekstradimin nga Italia të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Operacioni i koduar “The Wanted” u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
I ekstraduari është shtetasi Sajmir Kolaveri, 44 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me vendim të datës 25.09.2025.
Ai akuzohet për veprat penale “vrasje për gjakmarrje”, “fshehje ose asgjësim i kufomës”, si dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, ngjarja për të cilën dyshohet se është përfshirë ka ndodhur më 5 gusht 2020, ku shtetasi S. K. dyshohet se ka bashkëpunuar me pjesëtarë të tjerë të grupit për vrasjen e shtetasit K. Ll. Në vijim, ata dyshohet se kanë transportuar dhe fshehur trupin e viktimës në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rolit të secilit prej të përfshirëve në këtë ngjarje kriminale.


