Një ngjarje e rëndë familjare është zbardhur nga Policia e Lezhës, e cila ka arrestuar një 57-vjeçare në Fushë-Mamurras, të dyshuar për vrasjen e nënës së saj 85-vjeçare me mjet prerës.
Operacioni policor i koduar “Enigma” u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, sipas të cilave vdekja e të moshuarës, e ndodhur më 30 prill 2026, ishte regjistruar si natyrale dhe nuk ishte raportuar pranë autoriteteve policore.
Dyshimet për një ngjarje kriminale çuan në ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë. Hetimet dhe veprimet procedurale zbuluan se 85-vjeçarja kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara me thikë.
Si autore e dyshuar e krimit është identifikuar vajza e viktimës, Violeta Shpani, 57 vjeçe, e cila jetonte në të njëjtën banesë me të ëmën. Sipas policisë, e dyshuara vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës i dyshuar i përdorur në krim, si dhe sende të tjera që lidhen me ngjarjen.
Ndaj 57-vjeçares është vendosur masa e ndalimit për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Ndërkohë, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe mjeken Anila Lleshi, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Sipas hetimeve, ajo ka plotësuar aktin e vdekjes duke e klasifikuar rastin si vdekje natyrale dhe nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë mund të kenë pasur dijeni ose përfshirje në këtë rast.


