Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se zhvillimi i turizmit nuk vjen vetëm si rezultat i pasurive natyrore, por kërkon investime të vazhdueshme në infrastrukturë, shërbime dhe hapësira publike.
Në një deklaratë publike, Koçiu theksoi se bukuritë natyrore përbëjnë një potencial të rëndësishëm, por pa investime konkrete ato nuk mund të shndërrohen në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.
“Zhvillimi ndodh kur investohet, kur ndërtohen rrugë, përmirësohen qendrat urbane dhe shërbimet, duke krijuar kushte që turistët të vizitojnë vendin, të qëndrojnë më gjatë dhe të rikthehen sërish”, u shpreh ajo.
Sipas zv/kryeministres, rritja e numrit të turistëve në Shqipëri është rezultat i investimeve të ndërmarra ndër vite dhe jo thjesht i pasurive natyrore që vendi zotëron. Ajo theksoi se deti, malet, liqenet dhe trashëgimia historike kanë ekzistuar gjithmonë, por zhvillimi i sektorit kërkon politika dhe investime të mirëstrukturuara.
Koçiu bëri të ditur se përmes programit kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, qeveria synon të investojë në çdo qytet të vendit, duke promovuar turizmin gjatë gjithë vitit dhe duke krijuar më shumë mundësi zhvillimi ekonomik për komunitetet lokale.
“Çdo qytet ka identitetin, historinë dhe potencialin e vet. Objektivi ynë është që këto vlera të kthehen në motorë zhvillimi ekonomik dhe turistik”, tha ajo.
Sipas Koçiut, modeli i ndjekur nga qeveria synon transformimin e plotë të zonave urbane, duke lidhur investimet në infrastrukturë me përmirësimin e shërbimeve dhe nxitjen e aktivitetit ekonomik.
“Diferenca mes një vendi me potencial dhe një vendi të zhvilluar qëndron në aftësinë për ta kthyer atë potencial në ekonomi. Ne kemi zgjedhur ta bëjmë këtë përmes investimeve që krijojnë turizëm, zhvillim dhe më shumë mundësi për qytetarët”, përfundoi ajo.


